Eurostat, Shqipëria kryeson sërish Europën, 166 për qind rritje të fluturimeve në qershor
Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e pushuesve të huaj, veçanërisht pas periudhës së pandemisë.
Shqipëria, destinacioni me rritjen më të shpejtë turistike pas pandemisë
Shqipëria po konsolidohet si një ndër destinacionet më të kërkuara në Europë, veçanërisht pas pandemisë. Një faktor kyç në këtë rritje është zhvillimi i linjave ajrore “low-cost”, që kanë ndikuar drejtpërdrejt në zgjerimin e lidhjeve ajrore dhe uljen e kostove për pushuesit.
Rritje rekord e fluturimeve: 166.4% më shumë në qershor
Sipas të dhënave nga Agjencia Evropiane e Statistikave (Eurostat), në qershor 2025, Shqipëria ka regjistruar një rritje prej 166.4% të numrit të fluturimeve, krahasuar me të njëjtin muaj përpara pandemisë. Ky është rezultati më i lartë në Europë, duke e renditur vendin në krye të listës për rritjen e trafikut ajror.
Vetëm gjatë këtij muaji, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka pritur rreth 1.15 milionë pasagjerë, ndërsa janë kryer 6,830 fluturime, që kanë lidhur kryeqytetin me 103 destinacione në 31 shtete, përmes 27 linjave ajrore.
Rajoni i Ballkanit ndjek ritmin, por Shqipëria mbetet lider
Në rajon, pas Shqipërisë, rritjen më të lartë e ka regjistruar Bosnja dhe Hercegovina me 64.7%, e ndjekur nga Serbia (41.4%) dhe Maqedonia e Veriut (21.8%). Mali i Zi është i vetmi vend i rajonit që ka shënuar një rënie, me -3.3%.
Europa e ndarë mes rritjes dhe rënies
Në rang europian, pas Shqipërisë renditet Islanda me një rritje prej 106.9%, ndërsa Polonia dhe vendet e Ballkanit pasojnë me shifra pozitive. Megjithatë, disa vende të Europës veriore përballen me rënie të ndjeshme të fluturimeve:
-Letonia: -30.7%
-Suedi: -23.6%
-Finlanda: -22.3%
-Sllovenia: -21.7%
Turizmi ajror në Shqipëri me potencial të madh zhvillimi
Rritja e fluturimeve është një tregues i zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit në Shqipëri, si dhe i përmirësimit të infrastrukturës ajrore dhe ofertës turistike. Kjo prirje pritet të vijojë, duke ndikuar pozitivisht në ekonominë kombëtare dhe promovimin e vendit në tregjet ndërkombëtare. /ekofin.al